Ka filluar sot dita e dytë e garës së parë në disiplinën malore, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm, e cila po mbahet në shtegun e Grashticës.
Sipas agjendës zyrtare të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK), eventi ka filluar që nga ora 09:30 me paraqitjen e garuesve dhe kontrollin teknik të jashtëzakonshëm, për të vazhduar në orën 11:00 me mbylljen e plotë të shtegut për qarkullimin e veturave civile.
Rivaliteti në këtë fundjavë pritet të jetë tejet i lartë, pasi për pjesëmarrje kanë aplikuar emrat më me përvojë të auto sportit vendor.
Në mesin e tyre, kampioni aktual i kësaj discipline, Gazmend Demolli, ka shprehur optimizmin e tij për ta nisur vitin me fitore në këtë shteg që ai e konsideron mjaft simpatik dhe të dashur.
Pas përfundimit të xhiros së parë, agjenda parasheh një pauzë prej 30 minutash para startit të xhiros së dytë, ndërsa i gjithë aktiviteti i sotëm do të përmbyllë rrugëtimin me shpalljen e rezultateve jozyrtare, e më pas me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për fituesit e parë të vitit.





















