Donald Trump ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë informacion nga Irani lidhur me raportimet se Teherani ka pezulluar bisedimet e paqes, duke komentuar situatën në një telefonatë të shkurtër për NBC News.
Sipas tij, një deklaratë e tillë është “e përshtatshme për t’u thënë”, duke shtuar se Irani “janë negociatorë më të mirë sesa luftëtarë”. Megjithatë, Trump theksoi se kjo nuk nënkupton përshkallëzim ushtarak nga SHBA-ja.
“Kjo nuk do të thotë që ne do të shkojmë dhe do të fillojmë të hedhim bomba kudo atje”, u shpreh ai, duke shtuar më tej se sipas tij është folur shumë për situatën dhe se “heshtja do të ishte shumë më e mirë”.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur agjencia iraniane Tasnim ka raportuar më herët se negociatorët e Iranit do të ndalojnë bisedimet dhe shkëmbimin e mesazheve përmes ndërmjetësve.
Po ashtu, sipas kësaj agjencie, Irani ka ndërmarrë hapa për bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa është përmendur edhe mundësia që Ngushtica Bab al-Mandeb, e cila lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe Oqeanin Indian, të vihet në shënjestër në zhvillimet e mëtejshme.





















