Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me thirrjet online që janë kryer në ditët e fundit për bojkotimin dhe thirrjet kundër tij në koncertit e këngëtarit, Ylli Limani. Rama e cilësoi dhunë online dhe se është shprehje e neveritshme e një fenomeni që sipas tij po e shoqëron protestën e bulevardit.
Ndër të tjera ai shkruan se përditë e më shumë regjistrohet dhune verbale, plot presion e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit. Ai mori shembull edhe thirrjet rrugëve që bëjnë protestuesit ndaj qytetarëve si “Çohuni nga kafja”.
Rama theksoi se kjo nuk ka lidhje me protestat paqësore të cilën e cilësoi si paqen e flamingove. Ndër të tjera, ai shkruan se protesta është e drejtë demokratike dhe duhet respektuar gjithmonë. Ai shtoi se shumica qeverisëse e Partisë Socialiste ka respekt për protestën duke e cilësuar si më demokratiken të kësaj periudhe.
“Nuk e njoh Ylli Limanin. Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit; një formë degradimi e jetës publike në kanalet sociale tanimë e ngritur në një nivel të ri dhune në grup, që nuk duhet justifikuar, nuk duhet relativizuar dhe nuk duhet pranuar asesi me strukjen në qoshen e heshtjes, po duhet luftuar me forcën e fjalës.
Fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare – se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri. E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump!
Por nga ana tjetër po ngrihet përditë e më shumë një dallgë dhune verbale, plot presion, vulgaritet e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit, që nga thirrjet rrugëve “çohuni nga kafja” se medemek atdheu ju thërret, tek thirrjet për të bllokuar rrugë se medemek kush do të bëjë punë të tjera duhet detyruar të merret me punën atdhetare të bulevardit, e deri tek një histeri intimiduese online në emër të atdheut që s’ka asnjë lidhje me elegancën e me paqen e flamingove!
Historia na ka treguar më shumë se sa njëherë dhe më shpesh se sa në një kohë, që kjo është pikërisht forma se si janë shfaqur historikisht shumë lëvizje të cilat më pas janë shndërruar në shembëlltyra të organizuara të intolerancës politike e sociale. Jo duke bindur me argumente logjikë, por duke u imponuar me presion pseudo- moral. Jo duke respektuar të drejtën e tjetrit për të menduar ndryshe, por duke e shpallur tradhtar, të shitur, armik të popullit apo bashkëpunëtor të së keqes këdo që nuk i nënshtrohet thirrjes pseudo-atdhetare.
Me auto-sugjestionin se vetëm një grup njerëzish zotëron të vërtetën absolute, ushqehet përçmimi ndaj shumicës që nuk bashkohet me ta dhe mbështetet ideja e ligë, se ata që nuk protestojnë duhen turpëruar, izoluar, penguar apo deri edhe largqoftë, dhunuar fizikisht derisa të detyrohen të zgjedhin anë. Dhe kështu demokracia nuk merr më shumë frymë, po fillon të humbasë pulsin e saj.
Asnjë lëvizje ekstremiste nuk nis duke marrë pushtetin me forcë, po duke pretenduar se vetëm ajo e përfaqëson kombin, vetëm ajo e dëgjon zërin e popullit dhe vetëm ajo ka të drejtën morale për të vendosur në emër të popullit, se kush është patriot e kush jo.
Në Itali, skuadronet e zeza të Musolinit u shfaqën duke intimiduar kundërshtarët në rrugë para se të pushtonin institucionet – kush ecte në punën e tij ishte shënjestra e tyre e preferuar. Në Gjermani, militantët nazistë krijuan rrugëve një klimë frike e presioni shoqëror, kohë përpara se të fitonin pushtetin – çohuni nga kafet ishte thirrja e tyre e preferuar. Në Greqi, Agimi i Artë u ngrit mbi të njëjtën frymë përjashtuese, agresive dhe nacionaliste, duke ushqyer ndasi, urrejtje dhe presion ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohej hajvanllëkut të vet pseudo-patriotik, për Greqinë që duhet të ishte vetëm e grekëve!
“Ne jemi populli i vërtetë” dhe kush s’është me ne është “armiku i popullit”, është formula që i paraprin pasojave të rënda politike e shoqërore kur kjo formulë përqafohet nga një grupim njerëzish me fjalor të kufizuar, po me mëri të shrenuar.
Dhe këtu nuk është aspak fjala se kush proteston sot duhet etiketuar me vrap si neo-fashist, kurrësesi jo, sepse shumëkush nga ushtruesit e dhunës online as nuk e di fare se çfarë bën! Por fjala është tek fakti se kush dhunon online ata që nuk rreshtohen me protestën, e që janë padiskutim shumica e popullit shqiptar (ende përtej shumicës që mbështet qeverinë e Partisë Socialiste), jo vetëm nuk e bën Shqipërinë më të mirë po godet aty mu ku Shqipëria ka pikën e vet më të fortë, refuzimin e saj organik ndaj frymës nacional-socialiste apo neo-komuniste, prej të cilave shqiptarët kanë parë picirrin e zi dhe të cilat kanë bashkuar në bulevard edhe ekstremet politike të shqiptarësi së shtirur, nga llapaqorrat tek qorrallapat pa harruar grusht-shtetasit e lodhur të 1998-ës apo të ardhurit nga treva të tjera shqiptare për të mbrojtur Shqipërinë nga zhvillimi i turizmit!
Prandaj diskutimi nuk është aspak nëse dikush proteston apo jo. Protesta është e drejtë demokratike dhe duhet respektuar gjithmonë; shumica qeverisëse e Partisë Socialiste e ka respektin për protestën një ndër plot arritjet demokratike të kësaj periudhe. Por po ashtu e drejta e fjalës është më e rëndësishme se sa përmbajtja e fjalëve dhe kur protesta nxjerr si hije të vetën, pretendimin se kush nuk proteston është më pak qytetar, më pak patriot apo më pak shqiptar atëherë demokracia nuk rrezikohet nga lart po nga poshtë.
Dhe historia na ka mësuar më shumë se sa një herë, që kur dialogu zëvendësohet nga anatema, argumenti nga sharja dhe bindja nga frikësimi, e kur turma merr kot duke i dhënë vetes të drejtën të vendosë kush ka të drejtë të flasë e kush jo, përfundimi nuk është kurrë liria po fundi i saj. Nga kjo frymë Shqipëria vetëm humbet, ekonomia vetëm tkurret, investimet vetëm largohen dhe e ardhmja vetëm mjegullohet.
Por ky popull nuk ka ardhur deri këtu për t’u kthyer mbrapa atje ku ishte, po për t’u ngjitur më lart. Pa frikë nga lartësia ku s’ka qenë kurrë, po me bindjen që çfarë e ka penguar në shekuj të arrijë aty, nuk ka për ta penguar dot më dhe me vendosmërinë për t’ia dalë deri në fund këtë herë, edhe sikur të tërë djajtë të bëhen bashkë për t’ia punuar siç ia kanë punuar jo njëherë në historinë e vet të dhimbshme”, shkruan Rama.



















